Tava me Pistil

Kalorike, Pjata kryesore

Tava Me Pistil, Receta Ndjellëse e Traditës Elbasanase

Elbasani është një qytet që krenohet me traditën e vet të pasur të gatimit e cila kryeson me ballokumen, ndjekur nga tava karakteristike të Elbasanit dhe tava me pistil.

Pistili ose ndryshe kumbullat e thata konsiderohen si një prej zahireve më të çmuara dimërore të Shqipërisë së mesme dhe asaj të jugut.

Në shumë zona ajo përgatitet me kumbulla ose me mollë.

Pistili me kumbull përgatitet duke i zier kumbullat në një enë deri sa të krijohet një lëng kremoz i trashë.

Lëngu pastrohet nga lëkurat e mbetura të kumbullave dhe më pas hidhet në një tavë për tharje.

Pasi është tharë mirë, masa pritet në madhësi të ndryshme dhe ruhet në vend të freskët dhe të thatë.

Pistili përdoret edhe në gatimin e ëmbëlsirave të ndryshme.

Në këtë recetë do të mësoni si të gatuani tavën me pistil e cila kërkon mishin e dashit ose të qengjit por mund të përgatitet edhe me mish viçi gjithashtu.

Përgatitja e Tavës me Pistil në Shtëpi

Përbërësit

600 gramë mish dashi ose 500 gramë mish viçi

4 kokrra qepë

3-4 lugë gjelle me vaj ulliri ekstra të virgjër

30-40 gramë oriz

1-4 copa pistil

Piper të zi dhe të kuq

Përgatitja

Qëroni qepët dhe prijini në copa të vogla.

Mishin priteni në copa, kriposeni dhe vendoseni në zjarr që të marrë një valë për 15 minuta.

Hiqeni mishin dhe në lëng shtoni copat e pistilit për tu zbutur.

Në një tenxhere tjetër hidhni vajin e ullirit, mishin dhe qepët.

Kavërdisni së bashku dhe shtoni një gotë ujë që të ziejnë sërish.

Shtoni orizin, piperin e kuq e të zi bashkë me pistilin e zbutur në lëngun e mishit.

Përziejeni masën rregullisht teksa zien për 10 minuta.

Më pas transferojeni gjellën në një tavë dheu dhe futeni në furrë për tu pjekur në një temperaturë nga 200-250 gradë Celsius.

Nëse preferoni mund t’i shtoni edhe një fletë dafine për ta bërë aromën më ndjellëse.

Koha e pjekjes 20-30 minuta.

Tavën servireni të ngrohtë dhe shoqërojeni me verë të kuqe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *